Pas tensioneve gjatë protestës para Parlamentit, protestuesit u zhvendosën në Sheshin Skënderbej, ku vijojnë grumbullimin dhe organizimin e tyre.
Të mbledhur në qendër të kryeqytetit, diskutuan për vijimin e protestës, teksa nuk munguan debatet. Një pjesë bënë thirrje të shkonin në Komisariatin numër 1, ku mbahen të shoqëruarit e sotëm, të tjerë thanë të kthehen në orën 19:00 për protestën si zakonisht.
Në fund, një pjesë e protestuesve u ndalën para Komisariatit numër 1 për të kërkuar lirimin e të shoqëruarve.
Protesta e sotme nisi para godinës së Kuvendit, ku situata u tensionua mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa protestues tentuan të afrohen drejt Parlamentit, por u ndaluan nga kordoni policor i vendosur në zonë.
Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori në disa momente spraj me lëndë irrituese. Duhet thënë se deputetët sot hynë në dhe dolën të pashqetësuar nga Parlamenti.
Gjatë zhvillimeve të protestës u shoqërua edhe organizatori Arben Kola, së bashku me protestues të tjerë.