Kryeministri i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Fadil Novaliç u dënua me katër vjet burg për qëndrim të paligjshëm në rastin e blerjes së respiratorëve kinezë gjatë pandemisë COVID-19. Gjykata e Bosnjës, sot dha dënimin e shkallës së parë kundër Novaliçit, si edhe të pandehurve të tjerë. Ata janë kreu i pezulluar i Mbrojtjes Civile të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Fahrudin Sollak, si dhe pronari i kompanisë bujqësore “Srebrena Malina”, Fikret Hoxhiç. Sollak u dënua me gjashtë vjet heqje lirie, ndërsa Hoxhiç me pesë.
Po ashtu, kompania “Srebrena Malina” do të duhet të paguajë kompensim në vlerë prej 100 mijë eurosh. Novaliç nuk u paraqit në seancën gjyqësore kur u dha dënimi. Ai është akuzuar se ka hartuar një plan për të përdorur para nga buxheti i vitit 2020 për blerjen e mjeteve e të pajisjeve për të luftuar koronavirusin. Hetimet dolën në përfundimin se me Sollakun e Hoxhiçin u bënë bashkë “për të siguruar përfitime materiale” e që më pas do t’i ndanin mes tyre.
Ministrja e Financave, Jelka Miliceviç u shpall e pafajshme. Asaj iu rrëzua akuza se nuk i pengoi të pandehurit për shkeljen e tyre. Gjyqi për blerjen e 100 ventilatorëve nga Kina, me vlerë 5.4 milion euro, për nevojat e sistemit shëndetësor në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës, filloi më 23 shkurt të vitit 2021, para Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës.
Respiratorët janë blerë në prill të vitit 2020, një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë COVID-19. Prokuroria e Kantonit të Sarajevës nisi hetime pasi u bë e ditur se gjithçka u krye pa organizuar një tender dhe me marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë private “F.H. Srebrena Malina”, e cila merret me tregtinë e pemëve e të perimeve. Prokuroria e Shtetit vazhdoi hetimet e çështjes së nisuar nga Prokuroria e Kantonit dhe aktakuza u konfirmuar në fund të vitit 2020.