Në Sarajevë, dështuan bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe evropianë për të zgjedhur pasuesin e Kristian Shmidt-it. I dërguari i lartë ndërkombëtar mbikëqyr Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që i dha fund luftës ndëretnike në Bosnjë.
Shtetet e Bashkuara shprehën zhgënjim që kandidati i tyre i preferuar, diplomati italian Antonio Zanardi Landi, nuk siguroi konsensus. Amerika paralajmëroi me largim nga organi paqeruajtës në Bosnjë.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit vuri në dukje “pavendosmërinë evropiane” si shkakun e dështimit të bisedimeve dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të rishqyrtojnë rolin e tyre në praninë aktuale ndërkombëtare në Bosnjë.
Përveç Antonio Zanardi Landi-t, ish-ambasadorit të Italisë në Moskë dhe Beograd, diplomati francez Rene Troccaz u propozua si pasues i mundshëm i gjermanit Schmidt.
Troccaz, i cili shërben si i dërguari special i Francës në Ballkanin Perëndimor, gëzon mbështetje nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
Që nga lufta e viteve 1992-1995, Bosnja ka mbetur e ndarë midis entiteteve të saj serbe dhe boshnjako-kroate, të lidhura nga institucione qendrore të dobëta.