Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë një takimi me qytetarë të degës nr.7 në Tiranë, tha se ai është ndryshe nga të tjerët sepse siç u shpreh është i pakapshëm dhe i pakorruptueshëm, duke theksuar se ia ka dalë me punë e duke mos ia shtrirë dorën askujt.
Shehaj vuri në dukje se ashtu si ai, edhe forca politike që drejton është e vetmja që nuk bëri pazare dhe as u ul të bënte pazare, pasi kërkon votën e qytetarëve të thjeshtë.
Nëse ti shikon alternativa të tjera të ngjashme, unë nuk shoh. Nëse ka një parti që është ndryshe nga të tjerët, jemi ne. Ne jemi e vetmja parti politike që nuk pranuam pazare, as nuk u ulëm. Zgjodhëm të mos bënim pazar me asnjë. Ne duam votën e qytetarëve të thjeshtë, ky është modeli ynë, jo modeli i të fortëve, tha Shehaj.
Shehaj u shpreh se synimi i tij kryesor është mbajtja e premtimit për kursimin e 1 miliard eurove nga administrata, të cilat do t’u jepen qytetarëve nëpërmjet uljes së taksave.
Premtimi më i madh, kursimi i 1-miliardëshit, është synimi im. Unë do ta marr administratën, do ta kthej me kokën poshtë, do ta shtrydh. Do kursej 1 miliardë nga gjithë ata që shpërdorojnë paratë e qytetarëve. Të gjithë ata që na sulmojnë sepse duan që gjërat të mos ndryshojnë, të hidhen përpjetë, nuk na ndalojnë, u shpreh Shehaj.