Aksident me një viktimë dhe një të plagosur në aksin Përrenjas-Librazhd. Rreth mesnate, në vendin e quajtur Pishkash, u përplasën një autoveturë tip Benz dhe një kamion me targa të Shkupit. Për pasojë, humbi jetën një grua, si dhe mbeti i plagosur rëndë drejtuesi i Benz-it. Fillimisht, i plagosuri u dërgua në spitalin e Librazhdit dhe më pas në atë rajonal të Elbasanit.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë qarkullimi i automjeteve me shpejtësi tej normave të lejuara një kthesë të fortë në Pishkash, ndërsa janë dokumentuar provat e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet që sollën aksidentin.
Viti i kaluar u mbyll me 1 mijë e 666 aksidente rrugore, nga të cilët janë aksidentuar 1 mijë e 525 persona. Referuar raportit të INSTAT-it gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,5 për 100 aksidente, nga 14,9 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet rrugore, në 89,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-moshat 0-24 dhe 25-34 vjeç, duke zënë secila nga 24,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.