Aksidenti ajror në lumin Hudson, reagon Donald Trump. Presidenti amerikan e përshkruan si ngjarje të tmerrshme rrëzimin e një helikopteri me pasojë vdekjen e 6 personave, mes tyre CEO i Siemens-it Spanjë me bashkëshorten e tre fëmijët, si dhe piloti. “Zoti i bekoftë familjet dhe miqtë e viktimave! Sekretari i Transportit, Sean Duffy dhe stafi i tij i përkushtuar po punojnë për këtë çështje. Do të ketë një deklaratë të plotë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Gjithçka ndodhi pranë Pier 25, midis West Street-it e Canal Street-it. Në mesin e viktimave ishin CEO i Siemens-it Spanjë, Agustin Escobar, bashkëshortja e tij Merce Camprubi Montal dhe tre fëmijët e tyre të moshave 4, 5 e 11 vjeç, të cilët nga Barcelona kishin shkuar në Nju Jork për një vizitë turistike.
Në aksidentin tragjik ajror humbi jetën edhe piloti 36-vjeçar i helikopterit. Autoritetet amerikane nisën një hetim. Zjarrfikësit deklaruan se morën një raportim për një helikopter në ujë në orën 15:17 me atë lokale dhe 21:17 e mbrëmjes në Shqipëri. Një zyrtar i tha Associated Press se nuk pati të mbijetuar.
Videot e postuara në rrjetet sociale treguan Bell 206-ën kryesisht të zhytur, me pjesën e përparme në ujë. Disa varka shpëtimi u panë duke e rrotulluar helikopterin.
Varkat e shpëtimit u vendosën në afërsi të pjesës fundore të një skele të gjatë të mirëmbajtjes për një kullë ventilimi që i shërben tunelit Holland. Makinat e zjarrfikësve dhe automjetet e tjera të Urgjencës shkuan në vendngjarje me dritat e ndezura. Në Manhattan ka fluturime të shpejta, tregtare e turistike po ashtu. Shumë prej tyre transportojnë drejtues të korporatave, si dhe profesionistë të tjerë në destinacione të ndryshme në të gjithë zonën metropolitane.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut: Helikopteri shpërtheu gjatë fluturimit
Sipas kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, “helikopteri që u rrëzua në lumin Hudson u copëtua gjatë fluturimit dhe ra kokë poshtë në lumë mes Manhattan-it e vijës bregdetare të Nju Xhersit”.