Aktualitet Rajoni

Aksidenti hekurudhor në Greqi, sot pritet të mbyllen kërkimet/4 shqiptarë të zhdukur!

Në Greqi vijojnë kërkimet në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik hekurudhor i 28 shkurtit, pranë Larisës. Operacioni i ekipeve të shpëtimit në terren është përqendruar në vagonin e tretë të trenit të pasagjerëve që u përplas me të mallrave. Ashtu si dy të parët, edhe ky vagon u dogj plotësisht. Numri i viktimave të kësaj tragjedie ka arritur në 57 dhe i të zhdukurve në 56. Mes të humburve ka edhe shqiptarë.

Ambasada jonë në Athinë njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke. Janë katër shtetas me origjinë shqiptare me statusin e të zhdukurit, mes tyre Klaudia Lata, 21-vjeçe, studente e Mjekësisë.

Sa i përket të lënduarve, 48 janë të shtruar në spitale, 6 prej tyre në gjendje të rëndë në Reanimacion, ndërsa 10 të aksidentuar nga 48 të plagosur, iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të frakturave.

Në grupin e atyre që morën dëmtime janë shqiptarët Roberto Dristi 25-vjeç e Anisa Liuri 23, të cilët po trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv, ndërsa shtatë shtetas po me nënshtetësi shqiptare që rezultojnë të lënduar, raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Në morg vazhdon transferimi i trupave të karbonizuar.

Hetimi laboratorik i ADN-së për identifikimin e viktimave, po përparon. Deri tani janë bërë 24 identifikime. Operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon, tashmë i fokusuar në vagonin e tretë, i fundit nga vagonët e djegur plotësisht dhe ekziston frika se nën të ka të tjerë viktima.

Parashikohet që procesi i kërkimit të përfundojnë brenda ditës së sotme në Greqi. Ministri grek i Transportit, Kostas Karamanlis dha dorëheqjen, siç u shpreh: “në shenjë respekti ndaj njerëzve që vdiqën në mënyrë të padrejtë”.

Në Athinë pati protesta të dhunshme e përplasje të protestuesve me policinë pasi u publikua audio regjistrimi në të cilin makinistit të njërit prej trenave i kërkohej të shpërfillte dritën e kuqe.

Ndërkohë, e diela është ditë zie në Shqipëri, në nderim të atyre që humbën jetën nga përplasja e trenave pranë Larisës. Kryeministri Rama shkroi se “tragjedia e Greqisë është edhe e jona”. Më 5 mars, flamuri ynë do të jetë në gjysmështizë.