Aktualitet Rajoni

Aksidenti me mbi 40 viktima, polemika në Greqi për gjendjen e rrjetit hekurudhor!

Në Greqi vazhdon shoku për aksidentin hekurudhor të 28 shkurtit me mbi 40 viktima nga përplasja e dy trenave. Ndërsa sot është dita e dytë e zisë kombëtare, po shtohen polemikat mbi gjendjen e rrjetit hekurudhor, për të cilin disa ekspertë thonë se është i rrënuar. Ndërkohë, grekët përfitojnë nga një rrjet i dendur lidhjesh me autobus. Gjithçka bëhet me dorë dhe sistemet elektronike nuk funksionojnë që nga viti 2000. Kryeministri Micotakis u zotua për masa, që të tilla tragjedi të mos përsëriten më kurrë.

Mitsotakis iu drejtua kombit përmes një fjalimi televiziv. Shefi i qeverisë së Athinës bëri të ditur se pas dorëheqjes së Karamanlisit, ministri i Shtetit, Giorgos Gerapetritis do të marrë postin e ministrit të përkohshëm të Infrastrukturës dhe Transportit deri në zgjedhjet e ardhshme.

Karamanlis mori përgjegjësinë objektive politike e dha menjëherë dorëheqjen. Në të njëjtën mënyrë vepruan edhe drejtuesit e Organizatës Hellenic Railways (OSE) e të degës së projekteve të OSE ErgOSE. Gjithçka tregon se kryesisht e për fat të keq, aksidenti erdhi nga gabimi tragjik njerëzor.

Kryeministri ka kërkuar që Gerapetritis të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur me krijimin e një komiteti të pavarur e ndërpartiak ekspertësh, i cili të hetojë plotësisht shkaqet e aksidentit. Po ashtu duhen parë edhe vonesat shumëvjeçare në zbatim të projekteve hekurudhore.

Duke folur për vizitën që zhvilloi në vendin e aksidentit në Tempe, Mitsotakis tha se ishte “një skenë e një tragjedie që do të ngulitet përgjithmonë në kujtesën kolektive”. Ai falënderoi zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit, punonjësit e ndihmës së shpejtë e të policisë, autoritetet e qeverisjes vendore, si dhe mjekët, punonjësit e shëndetësisë dhe psikologët.

Ata bënë e po bëjnë më të mirën në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme.

Mitsotakis, i cili dje ishte në spitalin e Larisës u takua me të afërmit e viktimave të përplasjes së trenit dhe gjithashtu të atyre ende të zhdukur.

Me dhimbjen e tyre të patregueshme, me një tepricë dinjiteti, më pyetën për arsyen e tragjedisë. Ne u detyrohemi një përgjigje të sinqertë. Sistemi gjyqësor i vendit të bëjë punën e tij.

Ne do të vajtojmë fëmijët tanë, vëllezërit e motrat, miqtë. Ne do të qëndrojmë të bashkuar edhe në këtë tragjedi. Pastaj do të përulim kokën e do të shtrëngojmë dhëmbët. Do të punojmë që shprehja “Kurrë më!” që kam dëgjuar në Larisa të mos mbetet vetëm fjalë boshe.