Rajoni

Zjarr pranë bizneseve në Greqi, 6 të plagosur!

Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në zonën industriale të Aspropirgos, në Greqi, duke lënë të paktën gjashtë persona të plagosur, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin për shkak të pranisë së një bombole propani në ambientet e biznesit të përfshirë nga flakët.

Sipas mediave greke, dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë intubuar, ndërsa dy prej tyre janë punëtorë të biznesit ku shpërtheu zjarri. Kryetari i bashkisë së Aspropirgos, Yiannis Elias, deklaroi se flakët nisën në një punishte pjesësh këmbimi, ndërsa në afërsi ndodhen edhe biznese të tjera, duke rritur rrezikun e përhapjes së zjarrit. Më herët ishte raportuar se objekti ishte një biznes për riciklimin e metaleve.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, brenda ambienteve ndodhet edhe një kamion me bombol propani, çka ka shtuar shqetësimet për një shpërthim të mundshëm. Ndërkohë, tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën, duke krijuar kushte të rrezikshme për banorët. Përmes sistemit të emergjencës 112, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të largohen nga Rruga Megaridos drejt Aspropirgos nëpërmjet Rrugës Georgiou.

Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 75 zjarrfikës me 20 automjete, katër mjete speciale, përfshirë kamionë me platforma të larta dhe mjete për mbushjen e aparateve të frymëmarrjes, ndërsa nga ajri po ndërhyn edhe një helikopter.