Aktualitet Rajoni

Aktakuzë ndaj 8 të pandehurve në Kosovë/Falsifikim dokumentesh e pastrim parash!

Dyshimet për falsifikim dokumentesh e pastrim parash në shëndetësi, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti akuza ndaj pesë shtetasve me inicialet: E.M, K.A, E.LL, K.LL e I.L, si dhe tre subjekteve juridike: “M…”, “AHK” e “QKK”. Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore, Radio Evropa e Lirë i kërkoi më shumë hollësi për aktakuzën, si dhe njohje me të, por nuk ka marrë përgjigje.

Mediat në Kosovë, përfshirë atë të specializuar për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, Betimi për Drejtësi, që njoftoi se ka siguruar aktakuzën, raportuan se “është ngritur ndaj Ekrem Llukës, në cilësinë e pronarit të Qendrës Kardiake të Kosovës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, si pronar i Spitalit Amerikan në Kosovë, Igli Larashit, si dhe pronares së Medbrad KS, Edlira Malaj”.

Ekrem Lluka e Klodian Allajbeu janë edhe pronarë të disa mediave në Kosovë. Aktakuza përfshin edhe Qendrën Kardiake të Kosovës, Spitalin Amerikan e Medbrand KS, si subjekte juridike. Sipas raportimeve të Betimit për Drejtësi, bëhet fjalë për shitblerje në vlerë miliona euro, në emër të kompanive që nuk ishin të regjistruara.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktonte Ekrem Llukën, si dhe Spitalin Amerikan në Kosovë, por “nuk kanë qenë të qasshëm për koment”.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, Medbrand KS, është kompani në pronësi të Alaudin dhe Rigers Malajt. Radio Evropa e Lirë e pati të pamundur t’i kontaktonte deri në publikimin e këtij materali. Grupi Dukagjini ka deklaruar pafajësi të plotë për njërën prej kompanive të veta, si referencë për Qendrën Kardiake të Kosovës.

Në Facebook, Grupi Dukagjini shkroi:

Aty [në gjykatë] do të dëshmojmë jo vetëm pafajësinë e kompanisë tonë bijë dhe drejtuesve të vet, por edhe persekutimin personal dhe të kundërligjshëm të cilit i janë nënshtruar gjatë tre viteve të hetimit të kësaj çështjeje.

Për të tjera media në Kosovë, Spitali Amerikan tha se nesër, avokatët do të kërkojnë aktakuzën e do të dëshmojnë për pafajësinë.

Spitali Amerikan në Kosovë nisi të ndërtohej më 2007-ën, pak metra larg Qendrës Klinike Universitare, me lejen e Kuvendit Komunal të Kosovës, por në kundërshtim me vendimin e qeverisë së atëhershme, që ndalonte veprimtarinë e institucioneve shëndetësore private në distancën prej një kilometri e gjysmë nga ato publike.

Më vonë u ndryshua një nen i udhëzimit administrativ që përcaktonte distancën duke mundësuar finalizimin e punimeve. Ky institucion ka leje deri më 2025-ën./Radio Evropa e Lirë