Rajoni

NATO do ta zvogëlojë praninë në Kosovë/ Sheh përmirësim të situatës së sigurisë!

Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se gradualisht, NATO do të përshtasë forcën për mbështetjen e misionit KFOR vitin e ardhshëm, “për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend”.

NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë. Eshtë ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua me pyetje NATO-s për të mësuar se për çfarë shkalle të zvogëlimit të trupave bëhet fjalë.

Një zëdhënës nga Selia Supreme e Forcave Aleate në Evropë i deklaroi se kjo çështje “nuk ka të bëjë me numrat [e trupave], por me optimizim. Ka të bëjë me ofrimin e sigurisë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe më gjerësisht, të rajonit.

Lidhur me njoftimin, Radio Evropa e Lirë kërkoi koment edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.

Pyetje iu dërguan edhe Pentagonit, për të kuptuar qëndrimin e SHBA-ve mbi këtë vendim dhe nëse trupat amerikane do të jenë pjesë e planifikimeve të NATO-s për përshtatje të forcës në KFOR.

Muajt e fundit ka pasur raportime e diskutime për mundësinë që SHBA-të të rishqyrtojnë praninë e trupave të tyre në misionet e NATO-s, përfshirë në KFOR.

Megjithatë, Pentagoni i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshim të vendosjes së forcave amerikane.

Radio Evropa e Lirë mëson se numri i trupave të KFOR-it pritet që gjatë vitit të ardhshëm të rikthehet në nivelet e para 2023-shit. Në atë vit, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, aleanca dislokoi rreth 1.000 trupa shtesë në Kosovë.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999-ën në vend. Nga afro 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 paqeruajtës të KFOR-it nga shtete të ndryshme.