Rajoni

Kurti: Të gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu gatishmëri për bashkëpunim me partitë e tjera për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.

Pas një ngjarje për shënimin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kurti u pyet nga gazetarët nëse është i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Kurti tha se sa i përket konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë mund të nisin bisedimet pasi të ketë përfunduar numërimi i votave.

Ai deklaroi se LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet të jetë “bartëse e themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”.

Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket Qeverisë.

Ndërkaq, sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re, Kurti kujtoi se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese kërkon që 80 deputetë të marrin pjesë në votim për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Pra, jemi të gatshëm, të vullnetshëm, të interesuar për komunikim e bashkëpunim, por nuk asgjë e re nga ana jonë, u shpreh Kurti, duke përmendur se muaj më parë, LVV-ja kishte bërë oferta për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim që të gjendej zgjidhje për çështjen e presidentit.

Për shkak të moszgjedhjes së një presidenti të ri brenda afatit kushtetues, Kosova shkoi në zgjedhje.

Aktualisht, Albulena Haxhiu nga LVV-ja është ushtruese e detyrës së presidentit, pasi ish-presidentja Vjosa Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar presidencial në prill.

Ju e dini që në këtë pranverë, si Qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar. Shpresojmë që kësaj radhe të jetë ndryshe. Pra, për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11 nuk duhet ne të ndryshojmë sepse ne ishim ata që morëm iniciativa, thekssoi Kurti, duke shtuar se tani pret të tillë qasje nga opozita.