Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu gatishmëri për bashkëpunim me partitë e tjera për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
Pas një ngjarje për shënimin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kurti u pyet nga gazetarët nëse është i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Kurti tha se sa i përket konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë mund të nisin bisedimet pasi të ketë përfunduar numërimi i votave.
Ai tha se LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet të jetë “bartëse e themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”.
“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket Qeverisë”, tha Kurti.
Ndërkaq, sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re, Kurti kujtoi se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese kërkon që 80 deputetë të marrin pjesë në votim për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Pra, jemi të gatshëm, të vullnetshëm, të interesuar për komunikim e bashkëpunim, por nuk asgjë e re nga ana jonë”, tha Kurti, duke përmendur se muaj më parë, LVV-ja kishte bërë oferta për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim që të gjendej zgjidhje për çështjen e presidentit.
Për shkak të moszgjedhjes së një presidenti të ri brenda afatit kushtetues, Kosova shkoi në zgjedhje.
Aktualisht, Albulena Haxhiu nga LVV-ja është ushtruese e detyrës së presidentit, pasi ish-presidentja Vjosa Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar presidencial në prill.
“Ju e dini që në këtë pranverë, si Qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar. Shpresojmë që kësaj radhe të jetë ndryshe. Pra, për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11 nuk duhet ne të ndryshojmë sepse ne ishim ata që morëm iniciativa”, tha Kurti, duke shtuar se pret që qasje të tillë tani të ketë nga opozita.
Sipas rezultateve paraprake, LVV-ja e Kurtit ka fituar zgjedhjet e 7 qershorit duke marrë 42.47 për qind të votave. E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.43 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.96 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.51 për qind dhe Lista Serbe me 6.76 për qind.
Nga PDK-ja kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim sa i përket funksionalizimit të institucioneve të reja, por kanë kërkuar që kjo të bëhet përmes një marrëveshjeje politike.
Nga forca e tretë më e madhe politike në Kosovë, LDK-ja, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se çdo vonesë drejt një marrëveshjeje për institucionet e reja është sinjal i keq, duke theksuar se nisma për bashkëpunim duhet të vijë nga fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit.
Kush me kë? Qëndrimet e qarta, por pazaret ende larg
Ndërkaq, nga Aleanca e kanë përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje me LVV-në, por kanë thënë se sa i përket Qeverisë së re, preferojnë që ajo të bëhet përmes një koalicioni të partive që deri tani kanë qenë në opozitë.
Teksa numërimi i votave po vazhdon, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se planifikon që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 26 qershor dhe t’i certifikojë më 6 korrik, por këto afate janë vetëm planifikime, pasi do të varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët lidhur me procesin.