Shumë pak orë larg shfaqjes së tyre në Kinë e cila do të vinte si tribut për popullin Kinez, Dolce & Gabbana anulon sfilatën e shumëpritur.
Shfaqja e tyre në Shanghai mori kritika të ashpra për shkak të disa video-ve të postuara në faqjen zyrtare të platformave sociale. Në profilin e Dolce & Gabbana në Instagram janë publikuar disa video ku një modele kineze përpiqet të hajë ushqime tipike italiane si pica, pasta dhe cannolo ndërkohë që shoqërohet nga rrëfimtari.
Ky i fundit mundohet t’i shqiptojë fjalët si kinezët duke krijuar stereotipe që u konsideruan pa fund raciste. Mijëra komentues shprehën opinionet e tyre rreth këtyre video-ve duke shkruar se është për të ardhur turp dhe kompania nuk mund të tallet me kulturën e dy popujve të ndryshëm as duke u përpjekur t’i krahasojë apo të bëjë diferencat mes tyre.
Pak orë më parë Dolce & Gabbana ka njoftuar se faqja e tyre e Instagram-it është vjedhur dhe kërkon ndjesë për postimet e paautorizuara apo komentet raciste. Njëkohësisht ata zbuluan se shfaqja e tyre është anuluar dhe nuk janë më të mirëpritur në Kinë.
Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana kërkuan ndjesë duke theksuar se nuk kishin aspak qëllim të ofendonin popullin kinez përkundrazi gjithçka ishte oragnizuar për nder të tyre. Pavarësisht të gjithave, shfaqja mbetet e anuluar por videot famëkeqe ende nuk janë fshirë.