Rajoni

Akuzat e Albin Kurtit për të dërguarin Lajçak, BE: Të pabaza!

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, i cilësoi “akuza të pabaza” pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dërguarin e BE-së për Dialogun, duke theksuar se Mirosllav Lajçak ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të bllokut. Një ditë më parë, Kurti tha se gjatë takimit të fundit të dialogut në Bruksel, më 14 shtator, Lajçak u “pozicionua” kundër Kosovës.

Dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe Lajçakut për krijimin e një skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet. Lajçaku deformoi procesin e dialogut, duke pretenduar se nuk është përqendruar në zbatimin e plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes drejt normalizimit, por lejoi që qerrja të vihet para kuajve: Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim!

Marrëveshja të cilës Kurti iu referua u arrit më herët gjatë vitit dhe nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por nga Kosova dhe Serbia kërkon t’i pranojnë dokumentet e simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu, palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Stano u pyet nga gazetarët si mund të vazhdojë dialogu në këtë format pasi Kurti ka shprehur mosbesim ndaj lehtësuesit të procesit, duke mos e konsideruar si neutral e të paanshëm.

Sa i përket deklaratave të Kurtit, ne nuk i komentojmë, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, sikurse për Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell. Plotësisht, ata mbështesin përpjekjet e tyre që Kosova dhe Serbia të ndihmohen të arrijnë në fazën kur të normalizojnë raportet mes tyre.

Kjo do të thotë se është një deklaratë e miratuar nga ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare. Kjo deklaratë nënvizon pritshmërinë e BE-së për Kosovën e Serbinë dhe si të ecet përpara në dialog. Në mënyrë eksplicite, nga Kosova dhe Serbia kërkohet të ecin me zbatimin e detyrimeve të tyre, pa vonesa të reja.

Në këtë deklaratë që u lëshua pasi Borrell u takua në Nju Jork me kryediplomatët europianë, BE-ja kërkoi edhe themelimin pa vonesa të Asociacionit të komunave serbe.