Bota

Trump vendos tarifa të reja për 60 shtete, reagojnë ashpër BE dhe disa vende të tjera

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa të reja mbi importet nga 60 vende të botës, duke ndezur reagime të menjëhershme nga partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara.

Tarifat, që variojnë nga 10% deri në 12.5%, janë vendosur në kuadër të një regjimi të ri, i cili sipas Shtëpisë së Bardhë lidhet me “dështimin e vendeve për të ndaluar dhe zbatuar në mënyrë efektive importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar”.

Vendimi vjen pasi Gjykata Supreme e SHBA-së shpalli të paligjshme tarifat e vendosura nga administrata amerikane në muajin shkurt. Shqipëria nuk është pjesë e listës së vendeve të prekura, ndërsa mes shteteve që përballen me tarifat e reja janë Bashkimi Evropian, Kina, Britania e Madhe, Kanadaja, India dhe ekonomi të tjera të mëdha.

Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi vendimin të pajustifikuar, duke theksuar se standardet e mbrojtjes së punëtorëve në BE janë ndër më të lartat në botë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, deklaroi se vendi i tij do të intensifikojë negociatat me SHBA-në për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe paralajmëroi masa për mbështetjen e familjeve, punëtorëve dhe bizneseve kanadeze.

Edhe ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, shprehu zhgënjimin për vendimin e Uashingtonit, duke theksuar se Australia i trajton me seriozitet çështjet që lidhen me skllavërinë moderne dhe se tarifat nuk janë të justifikuara.

Tarifat e reja bazohen në një ligj amerikan të vitit 1974 dhe prekin 60 partnerë tregtarë të SHBA-së, të cilët përbëjnë rreth 99.4% të importeve amerikane.