Bota

Alarmuese/Merimanga helmuese po përhapet me shpejtësi…

Një specie merimange e njohur si “Nosferatu”, me origjinë nga rajoni i Mesdheut, po zgjerohet me shpejtësi në Gjermani dhe tashmë po vërehet gjithnjë e më shpesh edhe në pjesën veriore të vendit. Ekspertët thonë se prania e saj po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në shtëpi dhe apartamente. Sipas revistës gjermane Spiegel, merimanga është raportuar së fundmi edhe në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore. Aleksander Wirth, ekspert i organizatës gjermane për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit NABU, deklaroi se gjasat që kjo specie të vendoset përfundimisht në atë rajon po rriten vazhdimisht.

Merimanga Nosferatu u zbulua për herë të parë në Gjermani në vitin 2005. Specia besohet të jetë futur në vend rastësisht, ndërsa rasti i parë në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore u regjistrua në vitin 2022. Që atëherë, ajo është parë disa herë edhe në ishujt Rügen dhe Usedom, si dhe në qytetin e Lübeckut.

Sipas ekspertëve, klima më e ashpër e veriut nuk duket se e pengon përhapjen e saj. Gjatë muajve të ftohtë, merimanga strehohet në ambiente të ngrohta si shtëpitë dhe apartamentet. Trupi i saj arrin një gjatësi prej 1 deri në 2 centimetra, ndërsa hapja e këmbëve mund të shkojë deri në 5 centimetra. Emri “Nosferatu” lidhet me shenjat karakteristike në pjesën e përparme të trupit, të cilat ngjasojnë me fytyrën e vampirit të njohur nga filmi me të njëjtin emër.

Megjithëse konsiderohet një grabitqare e aftë dhe një nga speciet e rralla që mund të shpojë lëkurën e njeriut me dhëmbët e saj, ekspertët theksojnë se kafshimi i saj zakonisht nuk paraqet rrezik serioz. Sipas të dhënave të NABU, çdo vit në Gjermani raportohen nga 3 mijë deri në 5 mijë raste të vëzhgimit të kësaj merimange. Organizata u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë rastet dhe të dërgojnë fotografi për të ndihmuar në monitorimin e përhapjes së saj.