Rajoni

Albin Kurti kundër ndërmjetësuesit të BE-së, Lajçak: U pozicionua kundër Kosovës!

Kryeministri Albin Kurti akuza Mirosllav Lajçakut, ndërmjetës europian i dialogut me Serbinë se është “pozicionuar” kundër Kosovës. Kurti foli sot në një konferencë për media në Prishtinë:

Në raundin e fundit të dialogut, pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve në veçanti.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe Lajçakut për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Ditët në vijim, me siguri do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët pranuan shtetin e Kosovës dhe dëshirojnë të na ndihmojnë e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Tani e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes reciproke de-facto.

I pyetur nëse do të kërkojë zëvendësimin e Lajçakut në procesin e dialogut, Kurti tha se zyrtari i lartë europian nuk i jep llogari atij, por duhet t’i japë llogari Komisionit Europian, Këshillit Europian dhe Parlamentit Europian.

Unë besoj që ajo çfarë kemi thënë këto ditët e fundit e në veçanti sot është mëse e mjaftueshme që të ketë llogaridhënie të atij në institucionet europiane.

Kryeministri Kurti bëri një përmbledhje të ecurisë së takimeve dypalëshe dhe trepalëshe në Bruksel më 14 shtator. Ai hodhi poshtë deklaratat e Brukselit se ka refuzuar një plan për Marrëveshjen Bazë, duke thënë se në takim dorëzoi një plan të vetin për zbatimin e akordit.

Kurti shtoi se kërkoi që BE-ja të tregojë nëse Serbia ka dorëzuar një dokument për zbatimin e marrëveshjes. Një dokument iu dha në fund të takimeve e që sipas Kurtit ishte i datës 19 korrik, i refuzuar gjatë takimit të kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel, të mbajtur në po atë datë.

Ky dokument kërkonte që fillimisht të themelohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe e pastaj diskutimin për planin e BE-së. Dokumenti ishte shndërruar në plan të ndërmjetësuesit.

Kurti u pyet edhe për masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kushteve të ndërkombëtarëve për uljen e tensioneve në veri.

De-eskalimi do të duhej të konsiderohej i mjaftueshëm për heqjen e masave.

Më 14 shtator, raundi më i fundit i dialogut në Bruksel mes presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve. Ky ishte takimi i parë mes Vuçiçit e Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri, në fund të majit.