Rajoni

Albin Kurti në Bosnjë: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, që u zhvillua në Qendrën Memoriale në Potoçari.

LEXO EDHE: 30 vite nga masakra e Srebrenicës, Ditmir Bushati: Serbia e dyzuar për ta dënuar sipas interesave të çastit!

Delegacioni nga Kosova nderoi kujtimin e 8,372 viktimave duke vendosur lule pranë varrezave, në shenjë respekti për burrat dhe djemtë boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në vitin 1995, në aktin më të rëndë gjenocidal në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, e kuruar nga Aziz Osmanoviç, që përmes objekteve personale sjell rrëfime prekëse të viktimave dhe të mbijetuarve.

LEXO EDHE: “Srebrenica nuk duhet të ndodhë kurrë më”, Parlamenti Evropian bën thirrje për ndërhyrje në Gaza!

Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi masakrën e Srebrenicës si dëshmi të tmerrit të regjimit të Millosheviçit dhe paralajmërim për qëllimet gjenocidale të Serbisë edhe në Kosovë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të ruajtur kujtesën historike dhe për të qëndruar në krah të së vërtetës dhe viktimave.

Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçar janë varrosur deri tani 6.765 persona. Rreth 250 të tjerë prehen në vende të ndryshme, sipas dëshirës së familjarëve.

Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, entitet serb, vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë e rrethina, në korrik të vitit 1995. Kjo u cilësua “gjenocid” nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, konstatoi se në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, që ishte zonë e mbrojtur nga OKB-ja, ushtria e Republikës Srpska kreu gjenocid.

E njëjta gjykatë e shpalli Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit dhe për shkeljen e detyrimit për ndëshkimin e autorëve të tij.
Në maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi një rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Para gjykatave të ndryshme, deri tani janë dënuar mbi 50 persona për gjenocid e krime lufte në Srebrenicë, me mbi 700 vite burgim.

Ndër të dënuarit me burgim të përjetshëm janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Radovan Karaxhiç e Ratko Mlladiç.  Gjatë luftës në vitet ’90-të, në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë mbi 100 mijë njerëz, u zhdukën mbi 32 mijë dhe ende po kërkohen eshtrat e 7.600 personave, mes tyre rreth 1.000 viktima të pagjetura pas gjenocidit në Srebrenicë.