Dy ish-prokurorë, Gentjan Osmani dhe Ferdinand Elezi dhe një ish-gjyqtar, Izet Kadana, të nxjerrë jashtë sistemit të Drejtësisë, gjatë procesit të Vettingut, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kanë fituar të drejtën për të kërkuar rihapjen e çështjes së tyre. Vendimi ndaj tyre është konsideruar në shkelje të neneve të Konventës Europiane të të Drejtat e Njeriut, nga Gjykata e Strasburgut.
Në rastin e dy ish-prokurorëve, përllogaritjet financiare në vlerësimin e kriterit të pasurisë, janë konsideruar të pamjaftueshme nga GJEDNJ, për të motivuar shkarkimin, i cili “nuk ishte në përpjesëtim me qëllimet legjitime të ndjekura” e për pasojë në shkelje të Nenit 8 të Konventës e cila parashikon se “kushdo ka të drejtë për respektimin e jetës së tij private dhe familjare, shtëpisë dhe korrespondencës së tij”.
Ndërsa për ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Izet Kadana, në favor të tij, edhe një herë është shfaqur prania në trupën gjykuese të Luan Dacit, ish anëtar i Kolegjit të Posaçëm, i shkarkuar pasi u dënua nga Gjykata e Posaçme me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA. Kadana ishte ankuar për shkelje të Nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut e cila parashikon “të drejtën për një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”.
Prania e Luan Dacit në trupën vendimmarrëse të KPA, ishte konsideruar si shkak për rihapjen e çështjesh dhe për ish gjyqtarin Besnik Cani, i cili zgjodhi të mos e ushtronte këtë të drejtë.
Në maj të këtij viti, edhe ish gjyqtari i Apelit Ervin Metalla, doli fitues në përballjen në Strasburg. Deri më tani e vetmja që ka ushtruar të drejtën për të rihapur çështjen, është ish prokurorja Antoneta Sevdari, e cila është rikthyer në sistem.
Aktualisht, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka pushuar së ekzistuari dhe funksionet e tij do t’i kryejë gjykata e Kushtetuese, e cila do të duhet të rihapë çështjet nëse dy ish prokurorët Osman dhe Elezi, si dhe ish gjyqtari Kadana do të kërkojnë, në bazë të vendimit të sotëm të GJEDNJ-së.