Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se institucionet po bëjnë të gjitha përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç. Sot i pyetur nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se janë ndarë mjetet e nevojshme për këtë proces dhe se askush nuk duhet e nuk mund të cënojë të drejtën e qytetarëve për të zhvilluar një proces të rregullt zgjedhor.
Pluralizmi politik dhe mbi të gjitha e drejta e votimit lirshëm e papengesa të komunitetit serb janë të domosdoshme. Kushdo që vijon ta cënojë këtë të drejtë themelore nuk ka çfarë të pres tjetër përveçse përgjigjen e institucioneve tona me forcën e ligjit.
Kurti shtoi se për organizimin e zgjedhjeve është ndarë buxheti i nevojshëm dhe se institucionet e tjera të përfshira në këtë proces janë duke bërë përgatitjet e nevojshme.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, u shpreh se “Komisioni Qendror Zgjedhor po përballet me probleme të shumta në procesin e organizmit të zgjedhjeve”. Si sfida kryesore përmendi transportin e materialeve zgjedhore, pamundësinë e shfrytëzimit të qendrave të votimit, si dhe mungesën e sigurisë.
Kurti pranoi se situata e sigurisë në veri është problematike, por theksoi se institucionet do të kryejnë punën e tyre. Një ditë më parë, organizata joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) tha se rrethanat aktuale nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira. Situata në katër komuna është e brishtë.
Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, si edhe anëtarët e Kuvendeve komunale dhanë dorëheqje vitin e kaluar në kundërshtim të vendimit të qeverisë për largimin e targave ilegale dhe zëvendësimin e tyre me ato ligjore “RKS”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë për shkak se grupe qytetarësh shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve. Grupe të maskuara dëmtuan zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore në Veri. Kundër organizimit të këtyre zgjedhjeve aktualisht është subjekti më i madh politik, Lista Serbe, parti që nuk ka aplikuar në KQZ për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.