Aktualitet Politikë

Yuri Kim: Autoritetet të zbatojnë ligjin në mënyrë të barabartë/ Ambasadorja e BE në Elbasan: “Qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre!”

Përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-ve dhe BE-së në Shqipëri kanë dhënë mesazhin e tyre në këtë ditë zgjedhjesh, duke kërkuar që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Christiane Hohmann ka qenë në një qendër votimi në Elbasan për të monitoruar procesin e votimit për të cilin tha se deri më tani, çdo gjë po shkonte ashtu siç duhet.

Siç e keni para gjërat deri tani kanë ecur pa probleme. Duket se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre. Dëshira ime sot është që sa më shumë qytetarë të cilët kanë të drejtën e votës, të dalin të votojnë dhe që dita të vijojë kështu në mënyrë të paqme. Ajo që qytetarët mund të vendosin sot është se kush do t’i përfaqësojë në këshill bashkiak, kush do të jetë kryebashkiaku i tyre për 4 vitet e ardhshme. Kështu që shfrytëzojeni të drejtën që keni për të zgjedhur. Synimi duhet të jetë të zgjidhet politika më e mirë për Elbasanin.  Jam e lumtur që OSBE ka vendosur të kishte edhe këtë herë në Shqipëri një ekip të plotë vëzhguesve për zgjedhjet. Le të presim deri nesër kur do të kemi edhe konferencën vëzhguesve ku do paraqiten raportet paraprake

Nga ana tjetër dhe Yuri Kim me anë të një postimi në Instagram, ku ka shpërndarë foton e “bexhit” të saj si vëzhguese, u ka bërë thirrje autoriteteve për të zbatuar ligjet dhe rregullat në mënyrë të barabartë për të ndaluar shitblerjen e votave.

Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin.