Aktualitet

Kryemadhi: Po nis të zbardhet skema e gjuetisë së shtrigave të Yuri Kim-it!

Në GJKKO, u shty sërish seanca paraprake për dosjen “Meta”. Shkak u bë mungesa e avokatit të Monika Kryemadhit, Redi Llanaj, i cili u arrestua dhe më pas u la në arrest shtëpie pasi dhunoi rojen e sigurisë në gjykatën e Vlorës. Vetë ish-deputetja ishte prezente. Seanca e radhës u caktua më 11 nëntor.

Gjyqtarja Irena Gjoka pezulloi afatet e paraburgimit të Metës, ndërsa SPAK paraqiti prova të reja në gjykatë. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha se betejën e kanë me gjyqtaren se nuk mund të pezullojë afatet e paraburgimit për faktin që mungonte avokati i Kryemadhit, se si përfaqësues i ish-presidentit, ai ishte në sallë. Cakrani tha se, Gjoka e bën këtë pasi është në “shantazh” nga prokurorët.

Duke folur për mediat, pas shtyrjes së seancës së sotme, Monika Kryemadhi tha se tashmë janë të ditura emrat e kompanisë dhe personave në lidhje me pagesat për lobimin në SHBA. Sipas saj, gjithçka është stisur nga ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Një gjë të mirë kishte sot seanca, sepse sot kemi kompanitë apo personat që kanë paguar fatura në emër të të ashtuquajturës LSI. Del në pah “grushti i shtetit” apo “puçi” ndaj familjes sime apo rrethit shoqëror”, deklaroi Kryemadhi.

Një kompani amerikane ka paguar për lobim në SHBA. Që nga ky moment, akuzat për lobimin nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngarkojnë me faj kompaninë GSIS, që ka pranuar që në llogarinë e një kompanie lobimi të paguhen para në emër të një partie shqiptare.

Tani do nisë të zbardhet skema e gjuetisë së shtrigave të Yuri Kim-it, që për fat të keq nuk e zgjidh dot me një bursë në Angli për xhelatin e saj që ka në SPAK.