Rajoni

Amerika nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin në Ibër-Lepenc!

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha Uashingtoni “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë të Ibër-Lepencit, në veri të Kosovës. Lidhur me shpërthimin e 29 nëntorit, për të cilin Prishtina akuzon Serbinë, diplomati foli në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS:

Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë.

Nga shpërthimi me eksploziv në fund të muajit të kaluar në një fshat të Zubin Potokut, pati problematika sa i përket furnizimit me ujë të disa qyteteve. Hill shtoi se është diçka e mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-ve (FBI) po e mbështet hetimin, por se kjo flet për mungesën e besimit e një “prirje drejt akuzave reciproke”.

Policia e Kosovës bëri të ditur se sulmi është kryer me një sasi prej 20 kilogramësh eksploziv. Beogradi zyrtar hedh poshtë akuzat e Prishtinës se është autor i shpërthimit, që për fat të mirë nuk solli dëme në njerëz.

Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës zhvilluan disa aksione në veri. Gjatë tyre konfiskuan armë, municione e të tjera pajisje ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.

Për autoritetet e Kosovës, ky ishte sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99 dhe se dëmet shkojnë në rreth 400 mijë euro. Sulmi u dënua ashpër nga Amerika, si dhe nga disa shtete anëtare të Bashkimit Europian.