Bota

Amerika: Rifilluam sulme “vetëmbrojtëse” në Iran!

Sërish dhunë në Lindjen e Mesme, me ushtrinë amerikane që tha se ka kryer raundin e tretë të sulmeve “vetëmbrojtëse” ndaj shënjestrave në Iran. Teherani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Kuvajtit në orët e para të mëngjesit.

Komanda Qendrore amerikane [CENTCOM] kreu sulme vetëmbrojtëse ndaj radarëve iranianë dhe qendrave të komandës dhe kontrollit për dronët në Goruk të Iranit e në ishullin Keshm.

Ky është të paktën sulmi i tretë “vetëmbrojtës” që Amerika ka thënë se kreu ndaj objektivave iraniane, që kur hyri në fuqi armëpushimi, në fillim të prillit.

Sulmet e reja vijnë në kohën kur zyrtarët amerikanë dhe iranianë po shkëmbejnë një sërë propozimesh për një kornizë që do të zgjaste armëpushimin aktual me 60 ditë, si dhe potencialisht do të hapte Ngushticën e Hormuzit e do të hiqte bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane, mes të tjera çështjeve që po diskutohen.

CENTCOM-i vuri në dukje se të paktën pjesërisht, sulmet ishin në përgjigje të rrëzimit të një droni nga forcat iraniane.

CENTCOM-i i përshkroi si sulme të matura dhe të qëllimshme, në përgjigje të veprimeve agresive iraniane, të cilat përfshinin rrëzimin e një droni amerikan MQ-1 që po operonte mbi ujëra ndërkombëtare.

Avionët luftarakë amerikanë u përgjigjën duke eliminuar mbrojtjet ajrore iraniane, një stacion kontrolli në tokë dhe dy dronë që paraqisnin kërcënim të qartë për anijet që po kalonin nëpër ujërat rajonale.

Sipas CENTCOM-it, asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk u lëndua gjatë këtij operacioni.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit u citua nga mediat shtetërore iraniane të ketë thënë se forcat e tij shënjestruan një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane për të kryer sulmet e fundit, pa specifikuar se në cilin shtet ndodhej baza.

Në të njëjtën kohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se mbrojtja e saj ajrore po përballej me “sulme armiqësore me raketa dhe dronë”, ndërsa sirenat u dëgjuan në këtë shtet të vogël të Gjirit Persik që është aleat i SHBA-ve.