Bota Tech

Anija misterioze kozmike kineze kthehet në Tokë pas 276 ditësh!

Pas 276 ditësh qëndrimi në orbitë, kthehet në Tokë anija misterioze kozmike kineze. Lajmin për kthimin e anijes eksperimentale e bën të ditur media shtetërore në vendin aziatik. Raportohet se u kthye, në përfundim të një misioni të rëndësishëm, që synonte të testonte teknologjinë e ripërdorshme hapësinore të Kinës.

“Ky mjet fluturues pa ekuipazh u rikthye në qendrën e lëshimit të anijeve në Xhiuquan në veriperëndim të shtetit kinez, ashtu siç ishte parashikuar”, raportoi media shtetërore.

Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë detaj se për çfarë anijeje kozmike bëhet fjalë, çfarë teknologjie specifike u testua, në cilën lartësi ka fluturuar e në çfarë trajektore i krye fluturimi që nga koha kur anija në fjalë u lëshua në hapësirë, në gusht të vitit të kaluar. Në njoftimin zyrtar thuhet vetëm:

Testimi shënon një arritje të rëndësishme për teknologjinë e ripërdorshme të anijeve kozmike të Kinës, që do të ofrojë një mënyrë më të lirë e më të përshtatshme për përgatitjen e misioneve të reja hapësinore.

Në vitin 2021, një anije e ngjashme kozmike pati fluturuar në hapësirë dhe ishte kthyer në Tokë në po të njëjtën ditë, por edhe atëherë autoritetet kineze nuk dhanë detaje rreth misionit.

Kaq mjaftoi që komentuesit e shumtë në rrjetet sociale kineze të nisin spekulimet se Pekini po zhvillon një anije kozmike të ngjashme me modelin amerikan X-37B, një avion i pavarur hapësinor që mund të qëndrojë në orbitë për vite të tëra.

Një anije e tillë amerikane u kthye në Tokë nëntorin e vitit të kaluar, pasi kishte qëndruar në orbitë për më shumë se 900 ditë.