Presidenti Donald Trump akuza Kinës se ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020, duke pretenduar se administrata e tij ka deklasifikuar dokumente të Inteligjencës që sipas tij, e vërtetojnë këtë.
Por, presidenti nuk paraqiti prova publike për të mbështetur akuzat, ndërsa ato bien në kundërshtim me vlerësimet e mëparshme të komunitetit amerikan të Inteligjencës.
Në një fjalim rreth 30-minutësh nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se dokumentet e deklasifikuara tregojnë se Pekini kishte ndërmarrë përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2020 në favor të ish-presidentit Joe Biden. Gjithashtu pretendoi se Kina kishte siguruar në mënyrë të paligjshme 220 milion dosje votuesish amerikanë, përfshirë të dhëna personale.
Sipas Trumpit, të dhënat e votuesve në 18 shtete ishin “blerë, vjedhur ose hakeruar” nga Kina. Ai akuzoi gjithashtu persona që po sipas tij, kishin dijeni për këto informacione, se nuk i kishin raportuar ato tek autoritetet qeveritare dhe Kongresi.
Megjithatë, presidenti nuk paraqiti prova që Kina kishte përdorur këto të dhëna për të manipuluar sistemet e votimit apo për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Pretendimet e Trump-it bien ndesh me raportin e publikuar në vitin 2021 nga Këshilli Kombëtar i Inteligjencës së SHBA-ve, që arriti në përfundimin me “besim të lartë” se Kina nuk ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe nuk ndërmori veprime për të ndryshuar rezultatin e tyre.
Pas fjalimit, Ambasada e Kinës në Uashington i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar për Reuters-in se Pekini “nuk ka dhe nuk do të ndërhyjë kurrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve”.
Nga ana tjetër, demokratët e akuzuan Trump-in se po përpiqet të minojë besimin e publikut në procesin elektoral para zgjedhjeve të mesit të mandatit.
Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, deklaroi:
Në Amerikë janë votuesit që zgjedhin udhëheqësit e tyre, jo e kundërta. Demokratët do të mbrojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar pa ndërhyrje.