Rajoni

Asambleja Parlamentare e Frankofonisë, ndryshon statusin për Kuvendin e Kosovës!

Asambleja e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), me votim unanim, konfirmoi vendimin për avancim të statusit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga vëzhgues, në anëtar i asociuar. Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë Asamble kryesohet nga deputeti Dimal Basha, udhëheqës i Delegacionit të Përhershëm ë Kuvendit të Republikës së Kosovës në APF, si dhe deputetët Ariana Musliu Shoshi e Fridon Lala, anëtarë të delegacionit Në një postim në rrjetet sociale deputeti Dimal Basha bën të ditur se vendimi u mor gjatë Sesionit të 47-të APF-së në Kigali, Ruanda.

Deri më sot, Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë Asamble ka gëzuar statusin e  vëzhguesit vetëm të drejtën e pjesëmarrjes me të drejtë fjale por pa të drejtë vote, ndërsa nga sot Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit në Asamblenë e Frankofonisë(APF) do të gëzoj të drejtë vote sikur edhe anëtarët e tjerë, si dhe një varg të drejtash të tjera të parapara me rregullore/rezervuara për anëtarë të asociuar.

Si udhëheqës i delegacionit, ai falënderon kolegët anëtarë Fridon Lala dhe Ariana Musliu Shoshi për kontributin, Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca për mbështetjen e vazhdueshme, Qeverinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme për ndihmën dhe koordinimin, stafin e Kuvendit dhe sekretaren e delegacionit për angazhimin në proces.

Një falenderim special shkon për Shefin e Misionit për Rajonin e Europës në APF, Jean-Charles Luperto, i cili bashkë me këshilltarin Fatmir Leci kanë qenë shtylla jonë kryesore në lobim dhe mbështetje gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Jam shumë i lumtur që Kuvendi i Republikës së Kosovës po i bashkohet 15 vendeve tjera të asocuara të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë dhe besoj thellë se do të jemi vlerë e shtuar e kësaj organizate përmes së cilës do të angazhohemi që të kontribuojmë me diskutime dhe propozime rreth vlerave tona të përbashkëta, mbi respektimin e të drejtave të njeriut, shtetin kushtetues, zhvillimin e  komunikimit ndër-parlamentar, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e demokracisë.

Anëtarësimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të kulturës e gjuhës frënge në Kosovë, me fokus dhe interes të veçantë për zhvillimin e projekteve të reja të bashkëpunimit me institucionet, partnerët, vendet, parlamentet dhe qeveritë e Frankofonisë.

Dimal Basha shton se “gjithashtu ky vendim do të vendoset në planin e përgjithshëm dhe do të jetë objektiv strategjik i Kuvendit së Republikës të Kosovës, gjithmonë me synim rritjen e bashkëpunimit parlamentar ndërkombëtar”.