Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha në një konference për shtyp, se ajo që ndodhi sot, me publikimin e personazhit i cili pretendon se ka bashkebiseduar me Agron Xhafën, tregon se Basha është aktori dhe regjisori i audio përgjimit. Balla foli për dëshmitarin X që shfaqet në audiopërgjim, identiteti i të cilit është Albert Veliu. Balla, e cilësoi mafioze mënyrën e zgjedhur nga PD për të denoncuar implikimin e vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës dhe bëri thirrje për hetim. Ndërkaq Balla tha se: “Sot rezulton se Lulzim Basha është autori, regjisori dhe aktori i video-përgjimit të montuar me të cilin ka shpresën e fundit të bllokojë vendimarrjen e vendeve anëtare të BE për hapjen e negociatave”. Balla hedh dyshime edhe mbi “Dëshmitarin X”, i identifikuar në videon e publikuar nga demokratët si Albert Veliu. Ai tha se: “Nuk ja vlen të debatosh për vërtetësinë e deklarimeve të këtij njeriu, që duke qartë që është një mashtrues i rëndomtë i dënuar disa herë për disa vepra penale nga më të ndryshme. Personi që pretendon se ka qenë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë të rrezikshme që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të tyre”, u shpreh ai. Balla kërkoi nga Prokuroria që t’i shkojë deri në fund hetimit.