Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se është tërhequr në mënyrë të njëanshme nga Reforma Territoriale, duke votuar raportin e socialistëve në Kuvend.
Në krye të radhës kam deklaruar se me Edi Ramën, nuk ka reformë. Por, nga ana tjetër, jo një apo dy, por dhjetëra dhe qindra e më shumë qytetarë nga të katër anët e vendit kanë kërkuar që PD-ja të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale, për të mbrojtur interesat e tyre në këtë komision. Dhe ne këtë bëmë, tha Berisha sot në një komunikim me ndjekësit.
Zoti Luçiano Boçi në krye të këtij komisioni nga ana jonë dhe deputetët tanë, bënë një punë jashtëzakonisht serioze. Përgatitën me seriozitetin më të madh së bashku me ekspertët e fushës projektin më të mirë të reformës së ardhshme territoriale, ku bashkitë nga 60 jo që nuk zvogëloheshin, por dyfishoheshin.
Përveç bashkive, shtoheshin dhjetëra e dhjetëra komuna sipas territoreve ku ato është e mundur të ngrihen dhe ndryshimet e thella demografike lejojnë ngritjen e tyre.
Pas konsultave të gjera bipartizane, në të cilat qytetarët e të gjithë spektrit politik demaskuan njëzëri reformën e shkuar të Edi Ramës, Edi Rama vendosi të mbyllë punimet e komisionit, të tërhiqet dhe e votoi në mënyrë të njëanshme e të kundërligjshme raportin e Maznikut, i cili nuk ishte paraqitur në komision.
Pra, ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ta, për komunitetet, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë, gjer në largimin e tij!