Rajoni

“Ballkani i Hapur”, sot dita e dytë e samitit të Ohrit!

Për të dytën ditë me radhë, përfaqësuesit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut takohen sot në Ohër, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Pritet të nënshkruhen marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor e në fushën e turizmit. Përfaqësuesit e Bosnjës shprehën dëshirën që t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”. Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija:

Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jetë pjesë e projektit “Ballkani i Hapur”, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt të jetë e mundur.

Për herë të parë, në samitin e Ohrit po merr pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i kritikuar nga disa në vendin fqinj, për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ftesën e homologut të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për t’iu bashkuar nismës ku bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, deklaroi se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe vuri në dukje se “kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Europian”, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.

Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në “Ballkanin e Hapur”, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t’i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për “Ballkanin e Hapur”. Nuk e kam problem të flas me çdokënd në Prishtinë. Shkëmbimi tregtar në CEFTA është shumë herë më i madh se në fillim, kjo sjell përfitime për Ballkanin.

Eurokomisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Varhelyi, si dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do t’iu drejtohen pjesëmarrësve. Ndërkohë, Komisioni Europian shpërndau një njoftim ku bëhet e ditur se “përfitimi nga investimi prej 30 miliard eurosh nga Bashkimi Europian do të mund të jetë i plotë, vetëm kur të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e nismës”.