Aktualitet

Agron Shehaj mori marrëveshjen konfidenciale me SHBA-të, Etika e përjashton nga Kuvendi!

Me kërkesë të PS-së, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj pasi rrëmbeu marrëveshjen konfidenciale me SHBA-të në Kuvend dhe iku me vrap. Ndërkohë, këshilltarja që e ndoqi deputetin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime.

Sekretariati i Etikës ka shqyrtuar vetëm pjesën për përjashtimin ndërsa sa i takon referimit në SPAK nuk është në kompetencat e këtij organi. Etika thotë se referimin në SPAK mund ta bëjë vetë PS.

Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese. Shehaj ka kryer përvetësim të informacionit të klasifikuar dhe ka cenuar sigurinë kombëtare.

Maxhoranca kërkon referimin në SPAK duke thënë se Shehaj ka kryer veprat penale si më poshtë:

(i) përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;

(ii)vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;

(iii)  grabitja sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;

(iv) pengimi i detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës;

(v) dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cënon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët.