Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar kontrolle në ambientet e Bashkisë së Tiranës.
Burime të Top News bëjnë me dije se hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), me urdhër të SPAK, ndodhen prej orësh në godinën e bashkisë, ku po kryejnë kontrolle dhe po sekuestrojnë dokumentacion.
Deri në këtë moment nuk është bërë e ditur çështja konkrete për të cilën po kryhen veprimet hetimore, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga SPAK.
Hetuesit e BKH-së vijojnë punën në ambientet e institucionit.
Ndërkohë dy avokatë të një studioje ligjore britanike dhe av. Plarent Ndreca ishin sot në burgun e Durrësit në kuadër të përgatitjes së padisë që mbrojtja e kryebashkiakut Veliaj synon të depozitojë në Gjykatën e Strasburgut në vjeshtë.
Dosja do të hartohet edhe në bashkëpunim me studion ligjore amerikane, të angazhuar më herët në rastin e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, por avokatët amerikanë nuk janë lejuar ende nga SPAK të takojnë Veliajn, sipas Ndrecës.
Sipas mbrojtjes, po dokumentohen të gjitha shkeljet e pretenduara ligjore që do të paraqiten në Strasburg. Edhe nesër ekipi i avokatëve do të jetë në Durrës për të vijuar intervistimin e Veliajt. Për mediat folën avokatët Benjamin Brandon dhe Plarent Ndreca.