Travel

Si u shndërrua Riviera Franceze në një destinacion luksoz për elitën!

Dikur e promovuar si një vend ku të sëmurët mund të rikuperonin shëndetin, kjo vijë bregdetare plot diell është sot një kënd lojërash për të pasurit dhe të famshmit. Por si arriti të bëhej e tillë?

Megjithëse qytete si Nisa (Nice) — e paraqitur në fotografi në vitin 1896 — kishin nisur të prisnin, që nga mesi i shekullit XVIII, një numër të vogël britanikësh të pasur dhe me shëndet të dobët, në një kohë kur udhëtarët dhe mjekët po botonin libra që rekomandonin klimën e rajonit, vetëm pas disfatës së Napoleonit në vitin 1815 Riviera u konsolidua si një destinacion i njohur kurativ.

Në shtresat e larta të shoqërisë evropiane u bë modë që dimrin ta kalonin në jug. Një rrymë e re mjekësore rekomandonte një formë të hershme të klimatoterapisë: besohej se ajri i Mesdheut kishte veti qetësuese dhe shëruese për sistemin nervor.

Zona ishte veçanërisht e preferuar nga personat që vuanin nga “ftizi”, siç quhej atëherë tuberkulozi, sëmundja që përbënte shkakun kryesor të vdekjeve në Anglinë viktoriane, të lagësht dhe të mbuluar nga smogu.

Edhe Mbretëresha Viktoria e vizitonte rregullisht Rivierën në vitet e fundit të jetës së saj. Ajo dilte shpesh për shëtitje me një karrocë të tërhequr nga Jacquot, gomari që kishte marrë nën kujdes.

Pushuesit e parë që shijuan diellin

Riviera nisi të kthehej në një destinacion veror falë çiftit të pasur amerikan Sara dhe Gerald Murphy. Gjatë kohës që punonin si vullnetarë me trupën Ballets Russes të Diaghilevit në Paris, ata u afruan me rrethet ndërkombëtare të avangardës dhe me shkrimtarët e Brezit të Humbur. Në pranverën e vitit 1922, ndoqën Cole Porter-in drejt Antibesit, në lindje të Kanës. Siç do të shkruante më vonë Geraldi: “E kuptuam se pikërisht aty donim të qëndronim.”

Sara, trashëgimtare e një pasurie të ngritur nga industria e bojës, ishte rritur mes dunave të Hamptonsit dhe ishte mësuar prej kohësh me jetën e plazhit. Asaj i pëlqente të pushonte me kostum banje dhe me një varg të gjatë perlash në qafë. Thuhet se si Pablo Picasso, ashtu edhe Ernest Hemingway, u magjepsën pas saj.

Çifti i bindi pronarët e Hôtel du Cap-Eden-Roc — i cili zakonisht mbyllej më 1 maj — që ta mbanin hotelin hapur. Ndërsa shumica e vizitorëve të huaj largoheshin sapo temperaturat nisnin të rriteshin, familja Murphy pastroi gjirin La Garoupe nga algat dhe kalonte aty mëngjese të gjata me tre fëmijët e saj.

Në vitin 1925, çifti bleu Villa America-n aty pranë, ku u bë i njohur për darkat e shkëlqyera dhe mikpritjen bujare. Fjala u përhap shpejt dhe, shumë shpejt, kushdo që synonte të bëhej pjesë e elitës kërkonte me ngulm një vend në Rivierën Franceze gjatë asaj që deri atëherë ishte konsideruar jashtë sezoni.

Përpjekja për të jetuar në parajsë

Mes miqve të shumtë të famshëm që pritnin çifti Murphy ishin Scott dhe Zelda Fitzgerald, Ernest Hemingway, Gertrude Stein, Pablo Picasso, Jean Cocteau, Dorothy Parker dhe Coco Chanel. Jeta e tyre boheme përfshinte piknikë të pazakontë dhe mbrëmje teatrale plot fantazi, si ajo e njohur si “Festa e Çmendur në Plazh” e vitit 1923, e paraqitur edhe në fotografi.

Romani Tender Is the Night i Fitzgerald-it u frymëzua nga koha që ai kaloi me familjen Murphy. Në të, shkrimtari ndërthur tipare të vetes dhe të Zeldës me ato të Geraldit dhe Sarës, për të krijuar protagonistë magjepsës, por njëkohësisht të trazuar. Hijeshia vinte nga familja Murphy, ndërsa trazirat nga familja Fitzgerald: Scott dhe Zelda prishnin festa të ndryshme dhe, në një rast, i zuri gjumi në makinën e tyre, të parkuar mbi shinat e trenit. Të dy vuanin nga alkoolizmi dhe probleme të shëndetit mendor.

Duke kujtuar qëndrimin e tij me familjen Murphy, John Dos Passos shkroi:

Mund ta përballoja vetëm për rreth katër ditë. Ishte si të përpiqeshe të jetoje në parajsë. Më duhej të kthehesha përsëri me këmbë në tokë.

Në fund, të gjithë u detyruan të riktheheshin në realitet. Kriza e vitit 1929 ndikoi në kursin e këmbimit, i cili deri atëherë ua kishte bërë jetën në Evropë aq të rehatshme emigrantëve amerikanë. Po atë vit, djali më i vogël i familjes Murphy u diagnostikua me tuberkuloz.

Kur familja i dha lamtumirën përfundimtare Rivierës në vitin 1933, kasollet e plazhit dhe pushuesit ishin bërë tashmë pjesë e pandashme e bregdetit të saj çdo verë.

Një vend me diell për njerëz me hije

Një tjetër pioniere e pushimeve nën diell, Gabrielle “Coco” Chanel, bleu një vilë pranë Monakos në vitin 1928, pas një udhëtimi me jaht në Mesdhe me të dashurin e saj, Dukën e Westminsterit. E rindërtuar sipas udhëzimeve të saj dhe e frymëzuar nga jetimorja e abacisë ku kishte kaluar rininë, La Pausa ishte një strehë e gjerë dhe elegante, por njëkohësisht disi e ftohtë dhe e rreptë.

Pikërisht aty, një dekadë më vonë, Salvador Dalí dhe bashkëshortja e tij Gala u strehuan për t’i shpëtuar shkatërrimeve të Luftës Civile Spanjolle. Më pas, në Francë, Dalí do të pikturonte veprën e tij makthore Enigma e Hitlerit, një paralajmërim për një tjetër konflikt që shumë shpejt do t’i përfshinte edhe ata.

Një vend me diell për njerëz me hije ishte mënyra se si shkrimtari W. Somerset Maugham e përshkroi Rivierën.

Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, Chanel u tërhoq në prapaskenë. Në Paris, ajo nisi një lidhje me spiunin nazist Hans Günther von Dincklage dhe shërbeu si agjente, me emrin e koduar “Westminster”, referencë ndaj lidhjeve të saj në misionin e dështuar gjerman të quajtur Modellhut.

Kur u arrestua pas çlirimit të Parisit, ishte ndikimi i mikut të saj të vjetër Winston Churchill që e shpëtoi. Ndoshta jo krejt rastësisht, në vitin 1953 Chanel ia shiti La Pausa-n agjentit dhe botuesit të Churchill-it, Emery Reves. Ish-kryeministri e vizitonte shpesh vilën për të pikturuar dhe për t’u çlodhur mes fushave me livando.

Rërë dhe yje kinemaje në Kanë

Kur koalicioni i Frontit Popullor i Léon Blum-it vendosi në vitin 1936 pushimet e para të paguara për punëtorët francezë, me kohëzgjatje dyjavore, Riviera nuk ishte më vetëm privilegj i një elite të pasur, të çliruar nga detyrimet e përditshme dhe kryesisht të huaj.

Gjatë muajit gusht, një ulje prej 40 për qind në çmimet e biletave të trenit e bëri udhëtimin drejt jugut më të përballueshëm, edhe pse turizmi masiv nuk do të merrte hov deri në vitet 1950.

Pas luftës, planet franceze për rimëkëmbjen kombëtare u mbështetën te fondet e Planit Marshall nga Shtetet e Bashkuara, të cilat u përdorën edhe për një fushatë që synonte të tërhiqte turistët amerikanë dhe valutën e tyre. Një nga destinacionet më të njohura ishte Kana, festivali i filmit i së cilës po fitonte gjithnjë e më shumë ndikim falë pranisë së yjeve dhe po shndërrohej në simbol të një fryme të re çlirimi shoqëror dhe moral.

Festivali ishte konceptuar si një alternativë ndaj Mostrës së Venecias në Italinë fashiste dhe fillimisht ishte planifikuar të hapej më 1 shtator 1939, pikërisht ditën kur Gjermania pushtoi Poloninë. Ai do të përurohej përfundimisht shtatë vjet më vonë.

Shumë shpejt, Kana u bë vendi ku lindnin yjet e famës, të cilët shpesh dilnin në plazh për të promovuar filmat e tyre. Pasi stilistët francezë prezantuan bikinin në vitin 1946, ky kostum banje — fillimisht i ndaluar në disa vende dhe i shpallur mëkatar nga Papa Piu XII — nisi të bënte bujë përgjatë gjithë Rivierës./Monitor