‘E vetmja gjë pozitive është nuk humbëm sepse paraqitja është shumë më shqetësuese se rezultati’-Ashtu siç mund të imagjinohej me lehtësi pas barazimit 1-1 me Marokun, në Brazil nisën kritikat për Seleçaon e Carlo Ancelottit.
Padyshim nuk ka ndonjë dramë pasi botërori me 48 skuadra është shumë i gjatë e për më tepër përballë ‘Canarinhas’ ishte një skuadër që 4 vjet më parë në Katar arriti deri në gjysmëfinale. Megjithatë thuajse e gjithë media sportive në vendin amerikano-latin ka dhënë vlerësime negative për ndeshjen hapëse të Brazilit në Grupin C, një grup që në përfundim të raundit të parë të tij kryesohet nga Skocia që fitoi me Haitin.
Në analizën e ndeshjes me Marokun të publikuar nga portali globo.com, për shembull, vihen në dukje gabimet individuale të futbollistëve brazilianë, çorganizimi kolektiv dhe mungesa e agresivitetit.
Në portale dhe gazeta të tjera nënvizohet edhe fakti se debutimi jo shumë i mirë ka ulur pjesërisht entuziazamin që gjithnjë e shoqëron Seleçaon nëpër botërorë.
Dhe tani Brazili hedh menjëherë sytë nga ndeshja e dytë e grupit atë me Haiti me objektivin që është thuajse një detyrim duke parë edhe diferencën teknike dhe historinë mes dy skuadrave, që është fitorja e parë në këtë edicion të kupës së botës.