Një 25-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në zonën e Astirit, në Tiranë, në orët e para të mëngjesit.
Sipas policisë, rreth orës 04:35, shtetasi me inicialet E. K. u konstatua i pajetë në ambientet e banesës. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë vërejtur shenja dhune, ndërsa dyshimet e para flasin për një vdekje natyrale.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, një tjetër incident është regjistruar pak minuta më vonë në kryeqytet. Rreth orës 04:45, në rrugën “Haki Husha” në zonën e Mjull-Bathores, dyshohet se një sasi e vogël lënde plasëse ka shpërthyer në portën e jashtme të banesës së shtetasit D. S., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.