Aktualitet

Marrëveshja SHBA-Iran, Trump: Pritet të nënshkruhet sot, Hormuzi do të rihapet për të gjithë

Marrëveshja e shumëpritur për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme dhe për të garantuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe strategjike, pritet të formalizohet brenda ditës. Lajmi është bërë i ditur përmes deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump dhe Kryeministrit të Pakistanit, i cili po shërben si ndërmjetës në proces.

Megjithatë, Teherani ka reaguar duke u distancuar nga këto njoftime, me IRGC-në që ka hedhur poshtë pretendimet për një nënshkrim të afërt. Sipas saj, këmbëngulja për një datë të saktë nga Trump është e paqëndrueshme, pasi kuadri i marrëveshjes ende nuk është finalizuar plotësisht. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme iraniane ka mbajtur një ton më të moderuar, duke lënë të hapur mundësinë që nënshkrimi të shtyhet për ditët në vijim.

Për arsye sigurie dhe për të shmangur komplikimet logjistike në një proces kaq të ndjeshëm, po shqyrtohet që ceremonia e nënshkrimit të zhvillohet në formë elektronike.

Ky memorandum mirëkuptimi nuk përfaqëson një zgjidhje përfundimtare, por hap një fazë të re negociatash intensive 60-ditore, me synimin për të adresuar çështjet e mbetura të pazgjidhura.

Ndërkohë, zhvillimet kanë shkaktuar reagime të forta brenda Iranit. Në Mashhad, grupe të linjës së ashpër janë mbledhur jashtë Ministrisë së Jashtme, duke protestuar kundër Ministrit Abbas Araghchi dhe duke kërkuar dorëheqjen e tij. Këta grupe kundërshtojnë çdo lëshim, sidomos për çështjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila sipas tyre mbetet nën kontroll de facto të Teheranit.

Edhe në Izrael situata paraqitet e tensionuar. Kreu i opozitës, Yair Lapid, ka kritikuar ashpër kryeministrin Benjamin Netanyahu, duke e quajtur qeverinë një “dështim të plotë”. Sipas tij, marrëveshja nuk përmbush objektivat strategjikë të Izraelit, pasi Irani mbetet funksional, programi i tij raketor nuk është prekur dhe rreziku bërthamor vazhdon të jetë i pranishëm. Ai akuzoi Netanyahun se po e çon vendin drejt varësisë politike dhe strategjike nga aktorët e jashtëm.

Në këtë klimë të tensionuar, Netanyahu ka thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit të sigurisë, e cila do të zhvillohet të dielën në mbrëmje. Me shumë pikëpyetje ende të hapura mbi programin bërthamor iranian, rolin e ndërmjetësve rajonalë dhe fatin e fondeve të ngrira, orët në vijim konsiderohen vendimtare për stabilitetin e rajonit.