Politikë

Basha: Ministri Xhafaj të largohet menjëherë, t’i nënshtrohet ligjit Antimafia

Në emër të Opozitës, Lulzim Basha kërkoi sot dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm lidhur me çështjen e vëllait të tij, Agron Xhafaj, për të cilin Selia Blu thotë se vijon të merret me trafik droge. Sipas Kryedemokratit, Ministri duhej të hetohej nga Prokuroria:

1.  Fatmir Xhafaj duhet t’i nënshtrohet së pari hetimit të ligjit antimafia për pasuritë si familjar i personave me aktivitet mafioz.

2.  duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave, vëllai i tij Agron Xhafaj i dënuar për trafik ndërkombëtar droge nga drejtësia Italiane me 7 vjet e 2 muaj nuk ka bërë asnjë ditë të vetme burg, as në Itali dhe as në Shqipëri.

Basha artikuloi dhe dy pika të tjera në kërkesën për hetimin e Fatmir Xhafajt.

3.  duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, si rezultat i të cilave Agron Xhafaj i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit.

4.  duhet të hetohen të gjitha veprimet dhe mos veprimet e Fatmir Xhafajt, si Ministër i Brendshëm, që mundësojnë vazhdimin e aktivitetit kriminal të Agron Xhafaj.

Basha foli në një dalje për mediat, pas një takimi me aleatët në Selinë Blu. Një ditë më parë, PD-ja transmetoi një regjistrim audio, përgjim ambjental, që sipas saj është material autentik dhe vërteton përfshirjen e Agron Xhafajt në trafik droge.