Aktualitet

Baste sportive të paligjshme, 6 të arrestuar në flagrancë në Tiranë!

Goditja e aktiviteteve të paligjshme si organizimi i basteve sportive online në disa zona të Tiranës, gjashtë të arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit të koduar “Bad Spin 5”. Ata kishin përshtatur ambiente për organizimin e lojërave të fatit të palejuara. Dy të proceduar në gjendje të lirë, mes tyre një 17 vjeçar. Gjatë operacionit që çoi në kontrolle nga uniformat blu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjashtë aparate celulare e një njësi kompjuterike.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, referuar njoftimit zyrtar.

Njoftimi zyrtar policor lidhur me operacionin “Bad Spin 5” në kryeqytet: 

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin si dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizoi  operacionin e koduar “Bad Spin 5”. Ky operacion kishte në fokus goditjen e aktiviteteve të paligjshme të organizimit të basteve sportive online në disa zona të Tiranës.

Bazuar në inteligjencën policore, u identifikuan disa subjekte dhe individë që kishin përshtatur ambiente për organizimin e këtyre lojërave të fatit të palejuara. Pas një serie kontrollesh të kryera në këto subjekte, u arrestuan në flagrancë 6 shtetas të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari të paligjshme: D.F., E.B., LQ., A.D., A.D., F.C.

Të gjithë të arrestuarit janë banues në Tiranë. Përveç tyre, në gjendje të lirë u proceduan një 17-vjeçar dhe shtetasi me iniciale E.T.

Gjatë operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 aparate celulare dhe një njësi kompjuterike, që dyshohet se përdoreshin për organizimin e basteve sportive online.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.