Aktualitet

Baste sportive në lokalin e tij, pranga 37-vjeçarit në Tiranë!

Pronari 37-vjeçar i një lokali në Tiranë u vu në pranga për organizimin e basteve sportive të paligjshme. Ndërkaq, një 21-vjeçar, klient i lokalit në rrugën “Kastriotët”, u vendos nën hetim pasi iu gjet një mjet prerës. Celularët e tyre janë sekuestruar, si dhe arma e ftohtë.  Materialet hetimore iu referuan prokurorisë.

Njoftimi i policisë:

Zbulohet një tjetër lokal i vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm, të lojërave të fatit.

Arrestohet pronari dhe i sekuestrohet celulari.

Vihet në hetim 1 shtetas, pasi mbante me vete, në ambientet e lokalit, mjet prerës.

Si rezultat i kontrolleve në subjekte ku dyshohet se organizohen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 konstatuan se në një lokal në rrugën “Kastriotët”, viheshin baste sportive, me celular.

Për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi V. G., 37 vjeç.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme në këtë subjekt, u konstatua se klienti, shtetasi O. I., 21 vjeç, kishte me vete 1 mjet prerës. Për 21-vjeçarin nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Celulari i të arrestuarit dhe mjeti prerës u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.