Shqipëria do të krijojë një sistem të integruar të menaxhimit të çështjeve për gjyqësorin në kuadrin e projektit “BE për drejtësi digjitale”.
Duke u shërbyer rreth 550 përdoruesve në 20 zyra dhe duke përfshirë hartimin e proceseve të biznesit, projekti synon të forcojë sundimin e ligjit e të rrisë besimin në sistemin e drejtësisë në Shqipëri duke rritur efikasitetin, transparencën dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor nëpërmjet digjitalizimit, në përputhje me standardet e BE-së.
Projekti u prezantua nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS, në prani të përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë (Qendra IT), Ambasada suedeze dhe të tjerë aktorë kryesorë.
Duke kapërcyer proceset manuale, mungesën e të dhënave të centralizuara, statistikat dhe joefikasitetin në gjurmimin e rasteve, projekti do të lehtësojë koordinimin ndërmjet palëve të ndryshme të interesit dhe do të lejojë bashkëpunimin digjital midis gjykatave dhe dorëzimin elektronik të dokumenteve.
Përfituesit kryesorë të projektit janë Qendra e Teknologjive të Informacionit në sektorin e drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Ndërkohë që Qendra e IT ka avancuar në zbatimin e udhërrëfyesit dhe kuadrin e ndërveprueshmërisë për digjitalizimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, projekti siguron një qasje gjithëpërfshirëse të menaxhimit të ndryshimit për të adresuar sfidat e së kaluarës dhe për të garantuar miratimin dhe integrimin e suksesshëm të sistemit të ri.
Një sistem i integruar për administrimin e çdo dosjeje të regjistruar nga sistemi i drejtësisë, pritet të jetë i aksesueshëm nga çdo qytet i Shqipërisë dhe të lehtësojë punën e sistemit të drejtësisë.
Projekti synon të krijojë një sistem të magazinimit të të dhënave dhe të inteligjencës së biznesit (BI) për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën e gjyqësorit shqiptar duke lehtësuar prodhimin dhe ndarjen e statistikave të besueshme nëpër institucionet.
Sistemi i BI do të përputhet me treguesit gjyqësorë të CEPEJ dhe standardet kombëtare të raportimit, duke adresuar boshllëqet aktuale në mbledhjen sistematike të të dhënave.
Bashkëpunimi i ngushtë me homologët kombëtarë do të sigurojë përputhjen me ligjet kombëtare dhe rregulloret e BE-së, duke krijuar një qasje të adaptueshme dhe kohezive për menaxhimin e të dhënave gjyqësore.
Projekti “BE për drejtësi digjitale”, i zbatuar nga UNOPS dhe i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA III me një buxhet prej 7,5 milion eurosh, synon të transformojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri nëpërmjet inovacionit digjital.
Për mbi 48 muaj, projekti do të krijojë një sistem modern të menaxhimit të çështjeve për Prokurorinë, pritet të rrisë kapacitetin e Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe do të zbatojë mjetet e Inteligjencës së Biznesit për vendimmarrje të bazuara në të dhëna.
Nisma synon të forcojë sundimin e ligjit, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të ofrojë shërbime drejtësie më të shpejta e më transparente në përputhje me standardet e BE-së.