Aktualitet Politikë

Berisha: PD do të dorëzojë së shpejti padi për Librin e Kuq të Ramës!

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Sali Berisha njoftoi se së shpejti, PD-ja do të dorëzojë padi në prokurori për Librin e Kuq të Edi Ramës, i cili sipas tij përmban 750 faqe aktakuzë për 523 vepra kriminale.

Duke vlerësuar protestën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryetari demokrat tha se Rama po damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator, për të cilin ligjet dhe Kushtetuta e vendit janë një letër e vdekur.

Këtë javë përsëri Shqipëria ishte në krye të lajmeve në Evropë dhe në botë. Kryengritja e fuqishme paqësore rinore qytetare, që kaloi 41 ditë me pjesëmarrjen më të madhe që nga vitet ’90 në historinë e vendit, ka fituar mbështetje dhe simpati të madhe ndërkombëtare. Në këtë kuadër, mund të them se kjo kryengritje po gjen mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik evropian, por edhe qytetarët e vendeve të lira të Evropës.

Nga ana tjetër, Edi Rama damkoset çdo ditë e më shumë si një narkodiktator për të cilin ligjet dhe Kushtetuta e vendit janë një letër e vdekur. Libri i Kuq i Edi Ramës është 750 faqe aktakuzë për 523 vepra kriminale. Është de facto trajtimi i Shqipërisë nga Edi Rama si çiflig familjar dhe dorëzim i këtij çifligu në duart e mafies shqiptare dhe botërore.