Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk duhet të banalizohet, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve vendorë të jenë më pranë qytetarëve dhe të mos i konsiderojnë kritikat si mosmirënjohje.
Gjatë prezantimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, Rama tha se qeveria ka një detyrë historike për të mos lejuar që sipas tij, “marrëzia e zgjidhjeve magjike” të fitojë terren në opinionin publik.
Nuk mund të lejojmë që çështja e anëtarësimit në Bashkimin Europian të banalizohet. Bërja e prekshme e përfitimeve të këtij procesi është një detyrë e përbashkët. Është një proces historik jo vetëm për shtetin, por edhe për ekonominë dhe jetën e çdo qytetari.
Sipas Ramës, përfitimet nga integrimi europian duhet të shihen përtej investimeve në infrastrukturë.
Evropa nuk është vetëm infrastrukturë, por cilësi jete. Nuk është vetëm të ndërtojmë qytetin, por të ndërtojmë komunitetin. Nuk është vetëm ekonomi, por mirëqenie.
Kryeministri pranoi se megjithëse treguesit ekonomikë janë pozitivë, ekziston një diferencë mes statistikave dhe perceptimit të qytetarëve për mirëqenien.
Po të shohim shifrat, ekonomia jonë nuk ka qenë asnjëherë më mirë. Por kur e krahasojmë këtë me mënyrën se si e perceptojnë njerëzit ekonominë e tyre, atëherë problemi është te ne dhe jo te njerëzit. Ndjesia reale e mirëqenies është ajo që ka rëndësi.
Rama iu bëri apel kryebashkiakëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor të jenë më të hapur ndaj kritikave të qytetarëve.
Eksperienca nuk duhet të na bëjë cinikë, por më të hapur ndaj kritikës dhe pakënaqësisë. Nuk duhet ta konsiderojmë çdo reagim si mosmirënjohje. Nëse arrijmë t’i kuptojmë njerëzit dhe t’u përgjigjemi nevojave të tyre, atëherë do të kemi sukses të ri.