Prej më shumë se një muaji, mijëra shqiptarë protestojnë çdo ditë në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në jug të vendit (pranë një zone të mbrojtur), i lidhur me kompaninë e Jared Kushnerit, bashkëshorti i Ivanka Trump dhe dhëndri i Donald Trumpit. Demonstratat u shndërruan shpejt në protesta kundër qeverisë socialiste të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në fillim më kujtoi protestën studentore të vitit 2018: njerëz të ndryshëm, motive të ndryshme, shqetësime të sinqerta dhe një mesazh që e mora seriozisht. Kam dëgjuar dhe vazhdoj të dëgjoj, përgjigjet Rama gjatë një interviste për Corriere della Sera.
Rama është pyetur për reagimin e tij ndaj protestuesve ku kërkon ndjesë për njerëzit e sinqertë që mund të jenë fyer dhe është i gatshëm të dialogojë me ta. Të njëjtën gjë nuk e thotë për ata që prodhojnë baltë, histeri, shpifje.
Sa për dorëheqjen e tij, kryeministri nuk pranon kurrsesi ultimatum pasi thotë se për këtë nevojiten zgjedhje. Për ndërhyrjet e huaja, të cilat flet gjerë e gjatë, shprehet se nuk e zhvlerësojnë protestën, por tregojnë si po përdoren qëllimet e saj nga interesa të tjera.
Protesta nuk do ta dëmtojë sezonin turistik dhe as anëtarësimin në BE, por thirrja e vazhdueshme për protestuesit është transparenca dhe dialogu.
Duke u ndalur te opozita, Rama nuk i merr të gjitha meritat për vete për forcën e tij në zgjedhje pasi i jep pak ‘tortë’ edhe dobësisë së kundërshtarit.