Aktualitet Politikë

Berisha prezanton koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”!

Kryetari demokrat Sali Berisha sot prezantoi koalicionin e opozitës për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit dhe që është emërtuar si “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Gjatë fjalës së prezantimit, Berisha vuri në dukje se ky është koalicioni më i fuqishëm në 32 vite dhe nënvizoi se përfaqëson shumicën absolute. Në përbërje të tij janë 25 parti politike.

Eshtë një nder i jashtëzakonshëm t’u drejtohem sot shqiptarëve së bashku me koalicionin më të fuqishëm që Shqipëria ka përjetuar në 32 vite. T’iu drejtohem shqiptarëve në një moment historik, moment në të cilin ky komb vendos në përpjekjen më epike për t’u ndarë nga diktatura e dytë që kombi përjetoi 34 vite pas përmbysjes së diktaturës së parë.

Kjo ditë është një ditë shumë e veçantë në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet. Në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për një Shqipëri të jetueshme. Për një Shqipëri “Made in Albania”. Për një Shqipëri Madhështore. Për Shqipërinë e ëndrrave të shqiptarëve.

Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve përjashton jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë, por përfaqëson në distancë elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar.

Ky koalicion ka në gjirin e vet vajza dhe djem, burra dhe gra, qëndrestarë të pamposhtur, personalitete, patriotë dhe ekspertë të shquar të shkolluar në shkollat më të mira të Europës dhe botës.

Ky koalicion ka të gjithë mendjen, të gjithë vullnetin, atdhetarinë dhe përkushtimin për të bërë Shqipërinë Madhështore. Për të bërë Shqipërinë një vend ku qytetarët e lirë të saj të mos njohin më dhimbjet e pamerituara, çnjerëzore të varfërisë ekstreme.

Ku qytetarët e saj, bijtë dhe bijat e saj, të rendin pas ëndrrës së tyre më të bukur shqiptare, të ndërtojnë këtë ëndërr në Shqipëri.

Gjatë fjalës në prezantimin e koalicionit, Berisha u shpreh se në 12 vite qeverisje, Rama nuk ka paraqitur asnjë arritje, “veçse mllefin dhe vrerin ndaj opozitës”. Sipas tij, “është koha për shpëtimin e Shqipërisë nga një rrezik madhor antikombëtar, që rrallë e ka pasur historia, siç është Edi Rama”.

Më tej, kreu demokrat theksoi edhe se 2025-a është viti i diasporës duke deklaruar:

Diaspora e ka bërë zgjedhjen e saj, të shpëtojë Shqipërinë.