Celebrities

Big Mama shpërthen në lot për Shpat Kasapin: “Nuk ka pasur artist më të buzëqeshur, kërkesa e fundit e tij më ka mbetur në mendje”

Big Mama ka folur me shumë emocion për mikun e saj të vjetër, Shpat Kasapin, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku nuk i ka mbajtur dot lotët teksa kujtonte momentet e shumta që kanë ndarë bashkë në skenë dhe në jetë.

Ajo tregoi se miqësia e tyre daton që në fëmijëri dhe se janë rritur së bashku në Tetovë:

Me Shpatin njihemi prej vitit 1997, kemi qenë një gjeneratë. Sot më janë kujtuar të gjitha gjërat që kemi kaluar: koncertet, rrugëtimet, të qeshurat, shakatë. Në Festivalin e Fëmijëve në 1997 kemi qenë të dy 12 vjeç, fëmijë me shumë dëshirë për të arritur suksese

– tha Big Mama.

Artistja u shpreh se Shpati ka qenë një nga njerëzit më pozitivë në skenën shqiptare:

Të gjitha fotot i ka duke qeshur. Nuk ka pasur në estradën tonë artist më të buzëqeshur se Shpati. Edhe kur ziheshe me të, ai të kthente përgjigje me buzëqeshje. Ne do të na mbeten kujtimet më të bukura

– u shpreh ajo, duke i dërguar ngushëllime familjes, bashkëshortes, nënës, tezes dhe të afërmve.

Big Mama zbuloi edhe një detaj prekës: kërkesën e fundit të Shpatit, vetëm dy javë më parë, gjatë një regjistrimi për një program festiv.

Gjëja e fundit që më ka mbetur në kokë… para dy javësh ishim në një regjistrim të një programi festiv. Sikur e ndjente se do të ishte kjo e fundit e dokumentuar. Më tha: ‘A ta këndojmë bashkë Sajzeza, meqenëse jemi të dy tetovarë?’. I thashë: ‘Do e këndojmë, o Shpat’. Kush do ta mendonte se ai do të ishte kujtimi i fundit me të.

E pyetur nga Bieta nëse kishte folur me familjen, Big Mama tregoi se ende nuk ka mundur të komunikojë me nënën e Shpatit:

Nëna e Shpatit nuk ka mundësi të flasë, por kam folur me të afërm, me vajzën e tezes. Nuk kam forcë të shkoj, por do të shkoj

– tha ajo, mes emocioneve.

Ndarja e papritur nga jeta e Shpat Kasapit në moshën 40-vjeçare ka lënë një boshllëk të madh në muzikën shqiptare dhe në zemrat e kolegëve e publikut, ndërsa rrëfime si ai i Big Mamës e bëjnë edhe më të prekshme figurën e këngëtarit të ndjerë.