Përplasja ligjore mes aktorëve të filmit “It Ends With Us”, Blake Lively dhe Justin Baldoni, vazhdon të mbetet një nga konfliktet më të komentuara në Hollywood, ndërsa zhvillimet e fundit kanë sjellë një tjetër kthesë në sagën shumë milionëshe që ka pushtuar titujt e mediave që prej fundit të vitit 2024.
Gjithçka nisi kur Lively ngriti akuza ndaj kolegut të saj për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të filmit. Aktorja pretendoi gjithashtu se Baldoni dhe ekipi i tij kishin organizuar një fushatë për të dëmtuar imazhin dhe reputacionin e saj publik. Baldoni i mohoi menjëherë dhe në mënyrë kategorike të gjitha akuzat, duke e kthyer çështjen në një betejë të ashpër gjyqësore.
Së fundmi, gjyqtari Lewis J. Liman vendosi që Lively ka të drejtë të rimbursohet për një pjesë të kostove ligjore që lidhen me mbrojtjen ndaj kundërpadisë së Baldonit. Megjithatë, gjykata nuk pranoi kërkesën e saj për dëmshpërblim të trefishtë dhe dëmshpërblim ndëshkues.
Vendimi u prit me reagime të forta nga pala e Baldonit. Avokati i tij, Bryan Freedman, e cilësoi atë si një fitore të rëndësishme për klientin e tij.
Ne fituam kundër një sulmi të koordinuar të bazuar në akuza për ngacmim seksual, hakmarrje dhe fushatë shpifjesh që nuk kanë ndodhur kurrë
-deklaroi ai për Fox News Digital.
Freedman shtoi se Lively kishte kërkuar mbi 300 milionë dollarë dëmshpërblim, por sipas tij shumica e pretendimeve të saj nuk janë pranuar nga gjykata dhe asaj i është njohur vetëm një shumë e kufizuar për shpenzimet ligjore.
Nuk ka pasur ngacmim seksual. Nuk ka pasur hakmarrje. Nuk ka pasur fushatë shpifjesh
-u shpreh ai.
Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Lively reagoi duke hedhur poshtë këto deklarata. Në një reagim për revistën People, avokatët e aktores akuzuan palën kundërshtare se po përdor strategjinë e njohur si DARVO, mohim, sulm dhe përmbysje të roleve mes viktimës dhe autorit.
Duket se Justin Baldoni tani mendon se gratë që paraqesin në mirëbesim padi për ngacmim seksual dhe hakmarrje duhet të shkatërrohen financiarisht përmes proceseve gjyqësore
-thuhet në deklaratën e tyre.
Konflikti u përshkallëzua edhe më shumë në janar të vitit 2025, kur Baldoni ngriti një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh kundër Livelyt, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe personave të tjerë, duke i akuzuar për shpifje dhe zhvatje. Megjithatë, në qershor të atij viti një gjykatës federal e hodhi poshtë këtë kundërpadi.
Gjatë viteve 2025 dhe 2026, disa nga pretendimet e Livelyt u rrëzuan, ndërsa të tjera mbetën në fuqi. Pjesa më e madhe e konfliktit ligjor u mbyll në maj 2026, kur palët arritën një marrëveshje jashtë gjykate, detajet e së cilës vazhdojnë të mbeten konfidenciale.
Megjithëse një pjesë e betejës është lënë pas, përplasja mes dy yjeve të “It Ends With Us” vazhdon të mbetet një nga historitë më të bujshme ligjore që ka tronditur industrinë e filmit vitet e fundit.