Policia e Dibrës dërgoi për procedim në SPAK kandidatin për deputet të Partisë Demokratike në këtë qark për zgjedhjet e 11 Majit, Xhemal Gjunkshi dhe 3 persona të tjerë, pasi mbrëmjen e djeshme bllokuan një makinë në Maqellarë, nën dyshimin se po bliheshin vota. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 të mbrëmjes kur vetë Gjunkshi telefonoi policinë. Brenda makinës ishin dy persona.
Uniformat blu nisën menjëherë hetimet, si edhe konstatuan se kishte një veprim antiligjor nga mbështetësit dhe përfaqësuesit e PD-së, me anë të vetëgjyqësisë. Gjithashtu, në bashkëpunim me SPAK-un, referuan materiale për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK-ut dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK-ut, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Dibrës.
Nga PD-ja, drejtuesi politik i Dibrës, Xhelal Mziu akuzoi ish-kryebashkiakun e PS-së, Agron Malaj, i cili kandidon për deputet në qarkun verilindor. Malaj u përgjigj me një video-postim se makina e bllokuar nuk ishte e tij e se ndodhej në Burrel me shtabin elektoral, duke u shprehur se ngjarja mund të verifikohej.
Marr shkas nga deklarata e Xhelal palaços, që thotë makina e Agron Malajt. Agron Malaj është me shtabin elektoral në qytetin e Burrelit dhe nuk ka lidhje fare me makinën e Xhelal palaços edhe Shkëlzen palaços që e nxjerr aty për të përgojuar emrin tim. Makina aty është, makina të verifikohet.
Por këta janë palaço cirku, që Xhelali po përgatit humbjen më të thellë. Dhe i ka ngel në gojë Agron Malaj. Ja, ja ku e keni edhe Xhelo ziun që shpif, që makina në Maqellarë që s’kemi lidhje dhe ne jemi këtu në Burrel.
Në vijim të hetimeve të kryera lidhur me ngjarjen e datës 09.05.2025, në Maqellarë, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në ngarkim të shtetasve H.M., 54 vjeç; dhe F.P., 57 vjeç”.