Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në përgjigje ndaj kritikave të opozitës për raportin e Shqipërisë në PE, tha se 80% e Parlamentit Europian e mbështet integrimin e vendit tonë në BE.
“80% e PE mbështet përmbylljen e kësaj aspirate historike deri në vitin 2030, ku të gjithë së bashku, të majtë e të djathtë, të shohim flamurin kuqezi në oborrin e PE-së. Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve. E vërteta është se edhe nëse ndonjë amendament ishte dërguar me e-mail nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e Komisionit të Jashtëm”, u shpreh Balla.
Sipas tij, raporti vlerëson progresin e Shqipërisë ndërsa nuk kurseu ironinë për zhvillimet e fundit politike brenda PD-së.
“Partia juaj në zgjedhjet e fundit dëshmoi se nuk ishte e kënaqur me numëruesit që çoi vetë. Sa i përket pjesës së demokracisë, ju ankoheni se vidhni votat brenda partisë tuaj, imagjinoni të ankoheni se po ju vjedhim votat në të tjerat. Pak respekt për barazinë gjinore. Një grua si Meremja e shkretë, e përjashtuat edhe atë”, deklaroi kreu i grupit të PS.