Aktualitet Sociale

Bonusi i fundvitit për pensionistët, Rama: Shpërndarja nis nga java e dytë e dhjetorit!

Bonusi i fundvitit i pensionistëve tashmë i trefishuar do të fillojë të shpërndahet duke nisur nga java e dytë e dhjetorit. Kështu u shpreh sot nga Bulqiza kryeministri Edi Rama, i cili tha se “vendimi për rritjen e bonusit ishte i paimagjinueshëm deri dy apo tre vite më parë por u bë i mundur falë rritjes ekonomike”.

Ne do japim nga buxheti i shtetit 100 milion euro për pensionistët drejtpërdrejtë. Pensionistët që i kanë pensionet deri në 20 mijë lekë të reja do të marrin 150 euro dhe ata me pensione mbi 20 mijë lekë të reja, 100 euro. Të gjitha këto para do të fillojnë të disbursohen duke filluar nga java e dytë e dhjetorit.

Kryeministri theksoi edhe se niveli i ri i ekonomisë krijon mundësinë që përveç këtyre 100 milion eurove, të krijohet edhe një fond tjetër për pensionistët, për një bonus tjetër që nuk ka qenë më parë.

Kjo jo se nuk kemi dashur ne por se nuk na e ka lejuar ekonomia mundësinë e një bonusi të pranverës. Ky do të jetë një bonus që edhe në mandatin e 4-rt ne do të vazhdojmë ta mbajmë në raport me çfarëdo qoftë na sjell më shumë se parashikimi rritja ekonomike.

Kryeministri informoi se edhe për këtë bonus e me sasinë e tij, pensionistët do të njihen menjëherë brenda pak ditëve .

Paralelisht me paratë që do të marrin para Vitit të Ri do të marrin edhe informacionin e saktë se sa do të marrin më tutje në pranverë. Këto bonuse janë një rritje e drejtpërdrejtë e fuqisë blerëse të pensionistëve dhe janë një sinjal i drejtpërdrejt kuptimplotë i rritjes ekonomike.

Shifrat e rritjes ekonomike, sipas kryeministrit, “janë shumë domethënëse dhe tregojnë se në këtë dekadë Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë në rajon të prodhimit të saj të brendshëm”.

Eshtë një rritje që nuk ka përfshirë vetëm punonjësit e sektorit publik pagat e të cilëve janë thuajse trefishuar në raport me të kaluarën por përfshin edhe pjesën më vulnerabël por edhe më të vështirë për t’u adresuar pensionistët. Bëhet fjalë për më shumës e 700 mijë pensionistë, të cilët paguajnë haraçin e marrëzisë së viteve para se ne të merrnim detyrën.